Shkupi liron nga obligimet gjashtë futbollist

Shkupi liron nga obligimet gjashtë futbollistSkuadra e FC Shkupi që pas shumë viteve po kthehet në Ligën e Parë ka filluar tani më të mendoj për rekonstruimin e ekipit, duke marrë parasysh se në kategorinë e parë do të ketë kundërshtarë më të fortë. Fillimisht nga Shkupi kanë njoftuar se po presin që të gjithë futbollistët të kthehen nga pushimi deri në fund të javës dhe të përfundojnë bisedimet me secilin një nga një për të vazhduar kontratën apo për të liruar ndonjërin prej tyre.

Sipas zëdhenësit Hajrush Mani, klubi ka arritur të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Zekirija Ramadani i cili me shumë sukses ka udhëhequr Shkupin drejt Ligës së Parë, si dhe me kapitenin Suat Zendeli, Muharem Bajramin dhe Ardian Nuhiun. “Deri tani kemi përfunduar bisedimet me boshtin e skuadrës, jemi në pritje të kthimit edhe të disa lojtarëve nga pushimet që duhet përfundojnë deri të shtunën dhe më pas do të kemi pasqyrën reale të skuadrës që do mbetet”, ka thënë zëdhënësi Mani, i cili ka shtuar se nga skuadra për momentin janë larguar Erkan Seferi, Ernest Osmani, Mumin Sallai, Albert Naxhaku, Arian Bela dhe Egzon Sejfullahu.

“Deri sa po përfundojmë bisedimet me lojtarët që ishin pjesë e Shkupit gjatë sezonit të kaluar, ne jemi në kërkim të futbollistëve të rinj, që do të jenë edhe përforcim i skuadrës. Deri më tani nuk ka emër konkret që do të bartë fanellën bardh e kaltër. Stafi i trajnerëve nga e hëna (22.06.2015) do të bëjë dhe thirrjen e parë të futbollistëve, duke i nisur përgatitjet që do të vazhdojnë për një kohë në Shkup, e më pas do të vendosemi në ndonjë prej qendrave sportive jasht vendit”, ka thënë Mani i cili nuk harroi të falënderon që të gjithë futbollistët për kontributin e dhënë, pasi ishin pjesë e sukseseve të përbashktë në rikthimin e klubit në elitën e futbollit,

Shkupi sezonin e kaluar e përfundoi në pozitën e parë duke qenë një nga skuadrat më të mira të Ligës së Dytë.