Skuadra e Shkupit pësoi disfatë në derbin e javës së 28-të kundër Vardarit, në përballjen e zhvilluar në stadiumin e Çairit , para 5 mijë spekatorëve. Aksioni i parë i takoi Vardarit, kur në minutën e 4-t, u kanos përmes Dejan Blazhevskit, por në vendin e duhur ishte portieri Suad Zendeli. Pas ekzekutimit të rivënies nga këndi, Goran Popov drejton topin mbi portë. Në minutën e 19-t, Boareto nisi një solo aksion dhe pas kombinimin me Nikollovin, shënon nga këndi i vështirë për 1-0. Katër minuta më vonë regjistrojmë aksionin e parë të FC Shkupit, në zonën e rrezikut , kur Besir Iseni asiston, ndërsa vonohet Emmanuel Mbella. Në fund ishte intervenim i sigurt i portierit mysafirë Gaçevski. Në minutën e 32-të, godet ashpër Popovi nga 30 metra, portieri Suad Zendeli devijon topin në zonë, ndërsa Bërdarevski nuk ishte preciz nga 16 metra. Në minutën e 36-të, pas rivënies nga këndi, Boareto godet me kokë, ndërsa në vijën fundore reagon Fisnik Zuka, për të ndaluar golin e dytë. Në minutën e 43-të, regjistrojmë tentimin e Muharem Bajramit nga 17 metra, por jo edhe për të shqetësuar portierin Gaçevski.
Në pjesën e dytë të parët kanosen mysafirët, kur pas goditjes se lirë godet me kokë Bargesian, por portieri Zendeli grushton topin nga zona e 5 metrave, ndërsa tentimi i Spirovskit shkon skaj portës. Në minutën e 49, ishte rasti më i mirë për Shkupin, kur Sedat Berisha nis aksionin nga mesi i fushës, kombinon i mirë me Mbellën, mirëpo në fund nuk arrin që të gjejë këndin e dëshiruar, duke drejtuar topin skaj portës. Në minutën e 52-të, nga 18 metra godet Boban Nikollov, por reagon edhe më mirë portieri Suad Zendeli, duke drejtuar topin në rivënie nga këndi. Pas ekzekutimit të rivënies nga këndi, sulmuesi mysafirë ,Barsegian ishte i papenguar për të drejtuar topin me kokë në këndin tjetër për 2-0 për Vardarin. Shkupi u përgjigj në minutën e 62-të, kur Muharem Bajrami godet nga gjuajtja e lirë, mirëpo në nivel të detyrës është portieri Gaçevski. Mysafirët tentojnë golin e tretë, kur në minutën e 70, Barsegian depërtoi në krahun e djathtë dhe godet nga këndi i vështirë, por në vendin e duhur është sërish portieri Suad Zendeli. Një minutë më vonë, Besar Iseni arrin që nga këndi i 16 metrave të drejtojë gjuajtje të fortë, por në vendin e duhur është portieri Gaçevski. Dhe rasti i fundit për të ndryshuar rezultatin e kishte Fatih Ismaili, i cili godet nga 17 metra, mirëpo topi ndalet te një mbrojtës mysafirë dhe shkon në rivënie nga këndi. Shkupi tani duhet të përgatitet për sfidën me Rabotniçkit, ndeshje kjo që do të luhet në mesjavë.