Skuadra e Shkupit sot pasdite ka përfunduar me stërvitjen e fundit përballë sfidës së të dielës, kur do të jetë mysafire e Shkëndijës në Tetovë për të zhvilluar ndeshjen e javës së 12-të.
Trajneri Umit Karan nuk e kishte të lehtë për të punuar me ekipin, pasi plot pesë futbollistë janë jasht ekipit, kush shkaku i lëndimit e kush për shkak të kartobëve të verdhë.
Por sigurisht se secili që do të jetë në fushë në ndeshjen ndaj kampionit aktual të vendit, do të jep maksimumin që të arrijnë rezultat pozitiv. I këtij mendimi është edhe mbrojtësi Muharem Bajrami.
“Na pret ndeshje mjaft e fortë kundër kampionit aktual, Shkëndijës. Edhe ne kemi ambiciet tona në këtë ndeshje. Pas fitores kundër Akademia Pandevit, atmosfera në klubin tonë është në nivel të lartë dhe presim në atmosferë pozitivë edhe ndeshjen me Shkëndijën. Sigurisht se edhe ne kemi vështirësitë tona, sepse kemi 5 mungesa , tre kanë lëndime dhe 2 janë me kartona të verdhë. Sidoqoftë, ne duhet të përgatitemi që të japim maksimumin dhe pas ndeshjes me Akademia Pandev të lidhim dy ndeshje me rezultat pozitiv. Per ne rezultat pozitiv do të ishte edhe barazimi që, duke ditur se Shkëndija është një ekip që tri vitet e fundit luan me të njëjtën përbërje”, është shprehur Bajrami.
Për shkak të lëndimit jashtë ekipit kanë mbetur Basilio Ndong, Bllazhe Ilijoski dhe Bllgoja Ljamçevski, ndërsa me nga pesë kartona të verdhë janë Abdulkadir Zango dhe Armel Bradji.