Shkupi nuk njeh kampion!

Shkupi dhe Çairi nuk njohin kampion. Ekipi ka marrë fitore të rëndësishme dhe tre pikë përballë Shkëndijës në xhiron e 8-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke fituar me rezultat 2:0 në stadiumin e Çairit. Dy golat e fitores për skuadrën tonë i shënoi Marin Jurina, duke i mundësuar trajnerit Qatip Osmani debutim me triumf përballë ish-skuadrës së tij.

Ndeshjen e nisëm mirë, ku në fillim kishim iniciativën dhe krijuam disa raste, ndërsa dy tentimet e para i kishte sulmuesi Marin Jurina, por që nuk arriti që ti finalizojë. Në minutën e 25-të pas një starti të Krivanjevës ndaj Zhuniorit, mysafirët fitojnë penallti, ndërsa Besart Ibraimi nuk ishte i saktë nga pika e bardhë, duke lënë që rezultati të mbetet 0:0. Deri në fund të pjesës së parë, kishim edhe një rast me Jurinën, ndërsa nga ana tjetër mysafirët u kanosën me Alimin, por Thulio ishte në krye të detyrës.

Në pjesën e dytë, vazhduam me të njejtin ritëm, ndërsa në minutën e 69-të, Marin Jurina solli eufori në Çair, duke shënuar për epërsi 1:0. Pas golit, tetovarët tentuan përmes Radeskit, mirëpo ekipi rezultoi mirë të mbrohej dhe me kundërsulme tentonim golin, ndërsa ai do të vinte në të 85-tën, sërish me të njejtin autor Marin Jurina që realizoi për 2:0 në të mirë të Shkupit. Deri në fund, kontrolluam lojën mirë në fushë, duke dalë me fitore dhe tre pikë shumë të vlefshme nga kjo përballje.

Ndeshjen e radhës në kampionat, ekipi e luan në transfertë ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit.