Skuadra e Shkupit ka përfunduar sezonin vjeshtor me disfatë, por duke mbetur në mesin e katër skuadrave më të mira të kampionatit dhe njëherit duke përmbushur planin që e kishin hartuar trajneri së bashku me futbollistët si dhe kryesia, që e kishin thënë në fillim të sezonit.
Edhe pse disfatë ishte e hidhur dhe me një rezultat të lartë, 4:1, Shkupi kthehet kryelartë në kryeqendër për të vazhduar edhe për disa ditë me seanca stërvitore, ndërsa në vazhdim ndeshje do të luajë edhe tre xhiro ekipi B.
Në duelin e zhvilluar në Kërçovë, ku kishte numër të vogël të shikuesve duke marrë parasysh se ndeshja luhej në kohë të ftohtë dhe ditë pune, së paku nuk munguan golat.

Vendasit shumë shpejtë kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Besart Ibraimi, i cili në mungesë të Ferhan Hasanit, ka kaluar në pozitën e parë të golashënuesve në kampionat. Ibraimi golin e parë e shënoi në minutën e pestë, ndërsa gjysmë ore me vonë, rriti epërsinë.
Pjesa e dytë filloi përsëri në të mirë të kuqezinjve, të cilët vetëm pas 10 minutave lojë, shënuan për 3:0 me golin Armend Alimit. Për Shkëndijën golin e fundit e shënoi në minutën e 76-të, Shpend Asani.
Muharem Bajrami zbuti epërsinë e Shkëndijës në minutën e 78-të, kur nga një solo aksion dhe me një goditje prej më shumë se 25 metra shënoi për 4:1.
Sezoni pranveror me rrethin e tretë do të vazhdojë në shkurt, kur Shkupi do të lujë si nikoqire me ekipin e Metalurgut në stadiumin e Çairit.