Skuadra e FC Shkupit sot ka udhëtuar për në Ohër, ku do të kalojë 12 ditë të ardhshme për të zhvilluar fazën e dytë përgatitore. Trajneri Ardian Nuhiu përveç futbollistëve që do të jenë kandidat për të zënë vend në njëmbëdhjetëshin e parë, me vete ka marrë edhe futbollistë të rinj nga gjenerata e juniorëve, ndërsa gjatë kësaj faze sigurisht se do të ketë edhe futbollistë të tjerë që do të testohen nga vet stafi i trajnerëve.
Gjatë kësaj periudhe trajneri Nuhiu dhe stafi i tij punues kanë aranzhuar disa ndeshje kontrolluese, kur e para do të jetë nesër (e hënë) 30.01.2017 kur për kundërshtar do të kenë ekipin e Ligës së Dytë Novaci. Më pas me 2 shkurt për kundërshtar do të ketë ekipin e Makedonija Gj.P .
Ndeshja më e vështire për Shkupin në këtë fazë të përgatitjeve dhe testimit të futbollistëve do të jetë me 5 shkurt, kur përballë do të kenë ekipin Krupa që garon në Premier Ligën boshnjake dhe është në pozitën e katërt në tabelë, që është pretendent për titullin kampion. Me 7 shkurt Struga do të sfidojë Shkupin, e ku për këtë përballje trajneri Nuhiu ka menduar që të testojë sa më shumë futbollist të rinj. Ndërkohë ndeshja e fundit e përgatitjeve do të luhet me 8 shkurt, kundër ekipit serb Borac Çaçak, që është në pozitën e parafundit në tabelën e Super Ligës serbe.
Skuadra sot do të ketë një seancë stërvitore, nesër do të luajë ndeshjen kontrolluese, ndërsa nga dita e martë do të kenë nga dy seanca stërvitore. /fcshkupi/
Orari i ndeshjeve kontrolluese:
30 Janar FC Shkupi – KF Novaci
2 Shkurt FC Shkupi – Makedonija Gj. P.
5 Shkurt FC Shkupi – KF Krupa (BeH)
7 Shkurt FC Shkupi – KF Struga
8 Shkurt FC Shkupi – Borac Çaçak (Serbi)