Skuadra e FC Shkupi ka shënuar fitoren e parë në sezonin vjeshtor të kampionatit të ri futbollistik, duke e mundur ekipin e Makedonija Gj.P., me rezultat 2:1, me autor të golave Viktor Angellov dhe Blazhe Ilijoski.
Për duelin e djeshëm është prononcuar trajneri Hayati Soydas, i cili ka thënë se është thyer akulli dhe se pret tani edhe më shumë nga ekipi, që të jetë në pozitë më të lartë në tabelë.
“Ndeshja e djeshme ishte shumë e rëndësishme për ne, e dini se si ishte situata në klub, kishim disa humbje radhazi dhe jemi të kënaqur që arritëm të fitojmë. Duke e parë tabelën, Makedonija Gj.P., ishte konkurrenti ynë i drejtpërdrejtë në tabelë dhe kjo e bëri edhe më të rëndësishme këtë ndeshje për ne. Ne para përballjes, biseduam me futbollistët dhe ata e dinin se situata është tejet e vështirë pas rezultateve të dobëta, këtë e shfrytëzuan ata dhe arritëm të fitojmë.
Para ndeshjes u morëm vesh që në fushë të luftojmë deri në minutat e fundit dhe të luajmë më të koncentruar dhe arritëm të bëjmë lojën që e kishim planifikuar më parë. Jam shumë i kënaqur se si eci ndeshja, kishim raste të mira për të shënuar, thjesht luajtëm mirë. Mendoj se mundeshim edhe më herët ta mbarojmë ndeshjen, që të shënojmë golin e dytë, por nuk ndodhi ajo. Edhe pse pranuam gol dhe rezultati u barazua, futbollistët e tanë treguan karakter dhe rritën tempon e ndeshjes dhe arritëm që përmes penaltisë të fitojmë ndeshjen. Dua të potencoj një gjë shumë të rëndësishme, që është pozitive për klubin, shkaku që në ekipin tonë kishim tre futbollist të ri nga 17-18 vjeçar. Tani më e dimë se Suhejl Muharemi është pjesë e ekipit si startues, në dy ndeshjet e fundit e kemi edhe Besir Ramadanin, ndërsa dje fitoi shansin edhe Jusuf Aliu, i cili ka vetëm një javë që po stërvitet me ekipin, ndërsa dje debutoi me seniorët.
Kjo do të thotë se ky ekip ka kualitet dhe kjo ishte një ndeshje ku do të thoja se e thyem akullin, e arritëm fitoren e parë dhe shpresojmë që të vazhdojmë kështu. Shpresojmë që në të ardhmen do ta gjejmë veten sa më lartë në tabelën e klasifikimit. Ishte kjo një ndeshje që besoj se e kemi ngritur besimin në vete, po e them edhe një herë se ishte shumë ndeshje e rëndësishme dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”, ka përfunduar trajneri Soydas.
Të përkujtojmë se në ndeshjen e djeshme Shkupi përveç mungesës së Besart Krivanjevës, kishte jashtë ekipit edhe Rron Brojën i cili ka marrë një lëndim në nyjën e këmbës, që me shumë gjasa do ta lërë futbollistin jashtë ekipit edhe për duelin ndaj Bellasicës, që luhet të mërkurën në Strumicë.