Një ditë para se ekipi i FC Shkupi të fillojë me grumbullimin e parë për sezonin e ri garues të Ligës së Parë futbollistike të Maqedonisë (2017/18), radhët e veta i ka përforcuar me mesfushorin me tipare sulmuese, Kristija Stojkoski. Futbollisti 25 vjeçar, vjen nga radhët e Makedonija Gj.P. dhe në karrierën e tij ka luajtur edhe me për ekipin e Teteksit.
Shkupi dhe Stojkoski kanë arritur marrëveshje duke nënshkruar kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
“Ndjehem mirë te Shkupi, shpresoj se këtë sezon do të arrijmë të jemi sa më të mirë. Mendoj se Shkupi është një nga ekipet ku secili futbollist dëshiron të luajë, andaj do të jetë nder edhe për mua të bart fanellën bardhekaltër. E falënderoj kryesinë për besimin që më kanë dhënë, ndërsa unë shpresoj që tua kthej me paraqitje sa më të mira në fushë, njëkohësisht duke gëzuar edhe tifozët e klubit me çdo rezultat”, ka thënë Stojkoski.
Stojkoski në sezonin e kaluar kishte 34 paraqitje me fanellën e Makedonija Gj.P, duke shënuar tre gola. Të përkujtojmë se skuadra e Shkupit nesër e fillon grumbullimin e parë duke filluar nga ora 18:00, ndërsa ditëve në vazhdim priten edhe prezantimi i përforcimeve të radhës.