Të dielën në program është java e 23-të e Ligës së Parë të Maqedonisë, ku skuadra e Shkupit do të udhëtojë në Kratovë, në përballjen si mysafire me Sileksin.
Por në ekipin bardhekaltër nga Çairi mbretëron optimizëm dhe në një atmosferë pozitive pritet edhe ndeshja e radhës, duke potencuar se përballja do të jetë mjaft e vështirë, por duke shpresuar se më në fund edhe fati sportiv do të jetë në anën tonë.
Dy ekipet janë në pozitën e tretë dhe të katërt dhe kjo është një ndeshje shumë me rëndësi për vazhdimin e kampionatit.
Pikërisht në duelin e sezonit vjeshtor, Shkupi kishte fituar në Kratovë me rezultat minimal 0:1, ndërsa autor i golit ishte mesfushori ofenziv Kristija Stojkoski.
“Shkojmë në një nga udhëtimet më të vështira në kampionat dhe një terren ku kundërshtarët vështirë fitojnë pikët. Në pjesën e sezonit pranveror treguam se kemi kualitet dhe se luftojmë për një pozitë që dërgon në Evropë, por fati sportiv nuk ishte në anën tonë në dy ndeshjet e fundit, kështu që nga pozita e fituesit, duhej të shpëtojmë në minutat e fundit. Kjo ndeshje është në një mënyrë duel i drejtpërdrejtë me një nga konkurrentët tanë për Evropë, kështu që shpresoj se do të kthehemi me tri pikë nga udhëtimi ynë, ashtu sikurse ishte në duelin tonë sezonin e kaluar, kur ishim mysafir në Kratovë”.
Skuadra e Shkupit për ndeshjen ndaj Sileksit mungesë të vetme do të ketë Stefan Vujçiçin e lënduar. Përballja Sileksi – Shkupi luhet të dielën me fillim në orën 14:00, ndërsa drejtësinë do të ndajë referi Aleksandar Stavrev.