Të dielën përballemi me Akademia Pandevin

Ekipi nesër (22.09.2019) do të përballet në transfertë me FK Akademia Pandevin në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 7-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. 

Në situatë kur trajneri i ri Qatip Osmani do të nis me punë nga dita e hënë (23.09.2019), bardheblutë vazhdojnë punën nën udhëheqjen e teknikut Orhan Abdi dhe kanë kryer përgatitjet e duhura për takimin me skuadrën nga Strumica. 

FC Shkupi në ndeshjen e nesërme do të jetë i kompletuar, pasi trajneri në formacionin titullar mund të llogarisë në shërbimet e Marin Jurinës dhe Filip Stojanovskit, të cilët munguan në ndeshjen e fundit, i pari për shkak suspendimit që vuante për dy takime, ndërsa mbrojtësi i djathtë mungoi vetëm një ndeshje për shkak kartonave.

Pas një pauze të gjatë portieri Igor Aleksovski ndjehet i gatshëm për të luajtur në ndeshje zyrtare dhe do të udhëtojë me ekipin në Strumicë.

Sa i përket futbollistëve tjerë të gjithë do të jenë në dispozicionin e stafit teknik, me këta të fundit që do të vendosin për 11-shen ideale para ndeshjes. 

Takimi FK Akademia Pandevi vs FC Shkupi do të zhvillohet nesër (e diel, 22.09.2019) në stadiumin “Mladost” në qytetin e Strumicës, duke nisur nga ora 15:30.