Të shtunën në stadiumin e Çairit presim KF Shkëndijën e Tetovës për ndeshjen e vlefshme të xhiros së 8-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Ky do të jetë dueli i parë me skuadrën tetovare në kampanjën e re, ndërsa si për ‘ironi të fatit’, trajneri jonë Qatip Osmani ndeshjen debutuese në kampionatin vendor do ta ketë përballë ish-skuadrës së tij që drejtoi në sezonet e fundit.
Në këtë aspekt ekipi ka një përparësi të vogël, pasi shefi i stafit teknik e njeh mirë Shkëndijën dhe njeh kualitetet dhe dobësitë e ekipit kundërshtarë, ndërsa gjatë javës ka punuar intenzivisht me futbollistët, duke u përgatitur maksimalisht për duelin që na pret të shtunën pranë publikut tonë. Bardheblutë janë në kërkim të fitores së tretë në këtë sezon dhe të njejtën pretendojnë ta bëjnë kundër ekipit nga Tetova, të cilët në ndeshjet e fundit kanë rimarë veten, duke mos njohur humbjen.
“Kemi kaluar një javë të ngarkuar me ndeshje në kampionat dhe Kupë. Kishim dy ditë në dispozicion për tu përgatitur për ndeshjen me Shkëndijën dhe kemi kryer të gjitha detyrat që na ka dhënë trajneri i ri. Shkëndija posedon ekip të mirë me futbollist kualitetiv, por objektivi jonë është fitorja dhe shpresojmë ta arrijmë dhe ti gëzojmë tifozët tanë “Shvercerat”, është shprehur Besart Krivanjeva.
Trajneri Osmani për përballjen e nesërme nuk ka probleme me mungesa dhe lëndime, pasi të gjithë futbollistët ka në dispozicion për lojë. Takimi FC Shkupi vs KF Shkëndija do të zhvillohet të shtunën (28.09.2019) në stadiumin e Çairit, duke nisur nga ora 15:00.