Ekipin të shtunën e pret transferta me FK Sileksin në kuadër të xhiros së 14-t në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Bardheblutë kanë patur kohë të mjaftueshme gjatë javës për të ushtruar dhe analizuar kundërshtarin e radhës në kampionat, me të cilin do të përballemi për herë të katërt në këtë sezon të ri, pas atyre dy herë në Kupë dhe njëherë në kampionat.
Statistikat në këtë sezon flasin në favorin tonë, ku në ndeshjen e parë të luajtur në Çair, bardheblutë fituan FK Sileksin me rezultat minimal 1:0 dhe morën tri pikë të plota, ndërsa në 1/8 e finales së Kupës në ndeshjen e luajtur në shtëpi barazum pa gola, ndërsa atë të kthimit e mbyllëm 1:1 dhe morëm kualifikimin falë golit të shënuar si mysafir, duke eliminuar kështu skuadrën nga Kratova.
FC Shkupi tashmë e njeh mirë kundërshtarin dhe të motivuar udhëtojnë drejt Kratovës për të marrë edhe një rezultat pozitiv.
Trajneri Qatip Osmani për këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Fati Ismailit që i këputi ligamentet në takimin e fundit me Struga Trim Lumin, ndërsa në shërbime i vihet mbrojtësi tjetër Besart Krivanjeva që mungoi në xhiron paraprake për shkak të kartonave. Ndërkohë probleme me futbollistë tjerë nuk kemi dhe tekniku Qatip Osmani do të vendos ditën e ndeshjes 11-shen më të mirë për të nisur takimin.
Ndeshja FK Sileks vs FC Shkupi zhvillohet të shtunën (09.11.2019) në stadiumin e qytetit në Kratovë, duke nisur nga ora 13:00.