Në stadiumin e Çairit në Shkup të shtunën do të luhet ndeshja e javës së 14-të, në kuadër të Ligës së Parë të Maqedonisë, ku mysafire është skuadra e Vardarit. Një ndeshje që ka shumë rëndësi për ekipin bardhekaltër dhe përveç se është derbi i qytetit, do të ketë edhe një rëndësi tjetër.
Pikërisht në këtë përballje, portieri Suat Zendeli i cili karrierën futbollistike e kishte filluar me Shkupin, ka vendosur që në këtë ndeshje të përshëndetet me tifozët “Shvercerat” dhe publikun e skuadrës, pasi që në fund të sezonit do të mbyllë karrierën aktive si portier.
“E dimë se të shtunën kemi një ndeshje mjaft të vështirë, ndërsa skuadra ende nuk po arrin ta merr veten. Jemi të vetëdijshëm se ka kohë që nuk e kemi gëzuar publikun ashtu sikurse e meritojnë ata, por shpresoj që ta bëjmë këtë tani. Unë ju bëjë apel që të vijnë në numër më të madh dhe ta mbështesin ekipin, ashtu sikurse e kanë bërë vite me radhë. Ne futbollistët dhe trajnerët jemi kalimtar, ndërsa klubi dhe tifozët ngelin gjithmonë. Por vetëm të bashkuar mundemi të fitojmë çdokënd. Unë këtë ndeshje do i jap lamtumirën futbollit aktiv dhe pikërisht kam zgjedhur në këtë ndeshje të përshëndetem me tifozët të cilët ndër vite më kanë dhuruar dashuri”, ka thënë portieri Suat Zendeli.
Zendeli pasi që kishte kaluar një periudhë me ekipe të tjera në vend dhe jashtë, që nga janari i vitit 2014 u rikthye në folenë e tij të vjetër, duke ndihmuar Shkupin që të rikthehet përsëri në elitën e futbollit vendor, Ligën e Parë, por njëkohësisht ishte ai që me përvojën e tij të madhe ndihmoi Shkupin që pas shumë viteve të rikthehet edhe në skenën evropiane.
Suat Zendeli që nga vitit 2014 e deri më tani ka 150 paraqitje me Shkupin, ndërsa e shtuna do të jetë momenti kur ai do ti jep lamtumirën dorëzave të tij me numrin 1, si kapiten që do të kujtohet edhe për shumë vite me radhë, në kontributin e dhënë për skuadrën bardhekaltër.
Zendeli do të mbetet pjesë e Shkupit deri në përfundim të sezonit vjeshtor, ndërsa më pas do të ketë dhe bisedime shtesë me kryesinë nëse do të ketë ndonjë angazhim tjetër në klub.