FC Shkupi të hënën (2 korrik) do të zhvillojë ndeshjen e fundit miqësore në Bolu të Turqisë, kur përballet me rumunët e AFC Dunarea Calarasi, në kuadër të fazës kryesore të përgatitjeve para nismës së sezonit të ri. FC Shkupi rrumbullakson pëgatitjet në Turqi dhe më 3 korrik rikthehet në Shkup për të vazhduar me stërvitjet para sfidës së parë të Ligës Evropa , kundër Glasgow Rangers
Skuadra e Shkupit po i afrohet fundit të fazës së dytë të përgatitjeve verore në Bolu të Turqisë, në prag të sezonit të ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë dhe sfidave të reja në Ligën Evropa, kur do të takohet me skuadrën skoceze të Glasgow Rangers.
Brenda dy javëve, Shkupi ka punuar në mënyrë intenzive në ngritjen e përgatitjes fizike dhe taktike të futbollistëve, ndërsa me zhvillimin e ndeshjeve kontrolluese është testuar kapaciteti aktual i çdo lojtari, ku nuk kanë munguar testet e varianteve të ndryshme taktiko- teknike, nën drejtimin e stafit teknik dhe trajnerit Zekirija Ramadani.
Në bazën e Bolut, janë duke u testuar edhe katër senegalezët, të cilët ishin pjesë e disa ndeshjeve miqësore, ndërsa vendimi final do të dihet pas përfundimit të përgatitjeve. Mirëpo ajo që gëzon më shumë stafin teknik është fakti që asnjëri futbollist nuk ka marë ndonjë lëndim serioz dhe të gjithë japin maksimumin, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshjet kontrolluese.
Ndryshe pas sfidave testuese me Dritën e Gjilanit (2-0), Nefçit (0-2), Levadia Talin (1-1) dhe Çelikut (0-3), të hënën (2 korrik), FC Shkupi në stadiumin e kompleksit hotelierik Koru (në ora 17.00 ose 16.00 sipas kohës lokale në Maqedoni), do të përballet me skuadrën AFC Dunarea Calarasi, e cila sivjet është inkuadruar në elitën e futbollit në Rumuni. Të martën (3 korrik) ekspedita bardhekaltër rikthehet në Shkup, ku do të vijojë me përgatitjet para përballjes së parë me Renxhersin, ndeshje e caktuar më 12 korrik në Glasgow, në kuadër të eliminatoreve të Liga Evropës.