Të mërkurën për herë të parë pas më shumë se katër muajve, Shkupi është nikoqire në Çair, edhe atë në ndeshjen e javës së 30-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, ku përballë do të ketë Pobedën.
Është një ndeshje me shumë rëndësi, andaj të gjithë në skuadër me shumë pozitivitet dhe atmosferë të mirë e presin këtë duel, për të marrë tri pikë të reja.
Pikërisht për këtë ndeshje ka folur mbrojtësi boshnjak, me pasaportë austriake Toni Tipuriç, i cili mes tjerash ka thënë se të gjitha sfidat do të jenë të vështira, për të cilat duhet angazhim maksimal të të gjithë lojtarëve.
“Sigurisht që Pobeda nuk vjen në Çair vetëm sa për të luajtur 90 minuta, sikur ne edhe ata kanë nevojë për pikët. Ne duhet që të jemi të durueshëm që nga minuta e parë e deri te e fundit, të koncentruar dhe luftarak. Kemi deri në fund edhe tetë ndeshje ku mundë të merren 24 pikë. Duhet të shikojmë nga ndeshja në ndeshje dhe të japim maksimumin nga vetja. Sigurisht që nuk është e lehtë që të luash 11 ndeshje në 35 ditë por nuk ka zgjidhje tjetër. Në ekip mbizotëron një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë mendojmë pozitivisht dhe mezi se presim që më në fund të luajmë në Çair para publikut tonë”.
Skuadra e Shkupit në ndeshjen ndaj Pobedës do të ketë disa mungesa, ku përveç Vujçiçt të lënduar dhe Ljamçevskit që vuan edhe një ndeshje shkaku i kartonit të kuq, për këtë ndeshje shkaku i lëndimeve do të mungojnë edhe Bllazhe Ilijoski dhe Ermedin Adem.