Skuadra jonë tani më ka përfunduar edhe fazën e përgatitjeve në qytetin e Ohrit dhe prej të hënën në mbrëmje është kthyer në Shkup. Futbollistët do të kenë një pushim të shkurtër për të vazhduar edhe me disa ditë punë në Çair dhe më pas nga 16 deri më 30 qershor do të qëndrojnë në kampin stërvitor në Bollu të Turqisë, ku përveç përgatitjeve pritet të zhvillojmë dhe disa ndeshje kontrolluese para sfidave evropiane në kualifikueset e Ligës së Konferencës.
Paralelisht me fazën përgatitore, kryesia e klubit po vazhdon punën edhe në prurjet e reja. Kështu që nga sot pjesë e klubit tonë është bërë edhe mbrojtësi të djathtë, 29 vjeçarit Kristijan Toshevski, i cili vjen nga skuadra e Tiranës, me të cilin ekip ishte bashkuar që nga viti 2020. Në kampionatin shqiptar Toshevski kishte 84 paraqitje.
“Më vjen mirë që po kthehem në kampionatin vendor, në veçanti te ekipi i Shkupit. Shpresoj se do ti arrijmë qëllimet e larta të pronarit tonë, ajo është ta kthejmë titullin në Çair dhe të hyjmë në grupet e Ligës së Konferencës”, është shprehur Toshevski, i cili tani më i është bashkuar ekipit bardhekaltër, ndërsa kontrata e tij është një vit me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër.
Toshevski është emër i njohur i futbollit vendor, i cili karrierën e tij e kishte nisur në Tetovë me Teteksin, që më pas të ndërrojë mjedis te Pelisteri i Manastirit si dhe për disa vite ishte pjesë e skuadrës së Vardarit nga Shkupi. Në përgjithësi në kampionatin tonë, para se të transferohet në Shqipëri, Toshevski numëron 116 paraqitje.
Karriera e tij është e lidhur ngushtë edhe përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ku ai ishte pjesë e të gjitha gjeneratave, ndërsa gjithashtu numëron edhe nëntë grumbullime me seniorët e përfaqësueses së vendit.