Edhe pse ndodhemi në një krizë rezultatesh, FC Shkupi si skuadër asnjëherë nuk dorëzohet para kohe, ndërsa ashtu do të jetë edhe të martën, kur në terren vendas do të mirëpresim kampionët e Struga Trim Lum.
Përveç përgatitjes tekniko-taktike të skuadrës, trajneri Erdem Alparslan, së fundmi ka punuar edhe në aspektin psiqik, që është shumë i nevojshëm për momentin për skuadrën tonë, që tashmë 5 ndeshje me rradhë nuk dinë për fitore.
“Përgatitja teknike e ekipit është shumë e rëndësishme, njëjtë sikurse edhe ajo taktike, pasi varet se si luajmë në fushën e blertë, ndërsa ditëve të fundit kemi punuar për të ndihmuar skuadrën edhe në aspektin psiqik, pasi edhe kjo pjesë është shumë e rëndësishme për ne si skuadër në këto momente, ashtu që besoj se jemi gati për ndeshjen e nesërme.”
REZULTATET…
“Rezultatet nuk janë të mira dhe sigurisht se këtë e dimë edhe neve si staf, por mund të themi se kjo është pjesë e futbollit. Në këto momente, është me rëndësi që të jemi të bashkuar si skuadër edhe më shumë se në të kaluarën, pasi FC Shkupi do të rikthehet sërish. Ishim një nga skuadrat më të mirë në ligë dhe ashtu duhet të jetë.”
NDESHJA E PARË…
“Rezultati 3:0 nga ndeshja e parë është i qartë dhe na gëzon, mirëpo mendoj se Struga Trim Lum për momentin është në formë shumë më të mirë se atëherë. Sigurisht që jam i emocionuar, pasi ata kanë një skuadër cilësore, me lojtarë të mirë individualë, por ne jemi gati dhe të përgatitur mirë për këtë ndeshje”.
PRONARI I RI…
“Pronari i ri do të sjellë me siguri energji të re për klubin, për lojtarët dhe për tifozët e shumtë që kemi. Pas përfundimit të pjesës së parë të sezonit, besojmë se si skuadër do të rikthehemi shumë më fuqishëm dhe se do të përpiqemi të shkojmë në Europë. Pronari i ri dhe stafi i tij kanë këtë energji dhe ambicie për të bërë një gjë të tillë, madje edhe si traditë, ashtu që me këtë grup jam i sigurtë se ditë të mira do të vijnë për skuadrën tonë”.
Ndeshja FC Shkupi – Struga Trim Lum, luhet nesër në stadiumin e Çairit me fillim në ora 13:00, mirëpo pa praninë e tifozëve, njëjtë ashtu sikurse do të zhvillohen edhe ndeshjet e javës së 18-të, kur neve si mysafir do të luajmë përballë Besës së Dobërdollit në Gostivar.