Pas angazhimeve që kishim në kuadër të 1/8 së finales së Kupës së Maqedonisë, duke marrë fitore dhe kualifikim për çerekfinale ndaj ekipit të Ohrit, ekipi ynë nuk kishte kohë për të pushuar.
E diela do të sjellë përballjen e javës së 12-të, me kundërshtarë skuadrën e Rabotniçkit. Këtë të diel do të rikthehemi në shtëpinë tonë, pasi tani më fusha është gati për të zhvilluar ndeshjet e radhës.
Për këtë ndeshje ka folur sulmuesi i krahut, Kristijan Trapanovski, i cili mes tjerash ka shtuar se shpreson që do të vazhdojnë serinë e fitoreve.
“Para nesh kemi një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme. Shpresoj që do të jemi në nivelin e duhur dhe të vazhdojmë serinë e paraqitjeve të mira. E respektojmë ekipin e Rabotniçkit, por në plan të parë kemi që të shënojmë rezultat pozitiv dhe ta arsyetojmë besueshmërinë e publikut tonë”, është shprehur Trapanovski, i cii në ndeshjen ndaj Ohrit ishte autor i një goli dhe në një tjetër ishte asistues.
Kujtojmë se disfatën e vetme skuadra jonë e ka nga ekipi i Rabotniçkit që në fillim të sezonit u mposhtëm me rezultat 3-1, ndërsa në pesë duelet e fundit kemi katër fitore.
Ndeshja Shkupi – Rabotniçki luhet të dielën në stadiumin e Çairi me fillim në ora 13:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri nga Kavadari, Stojançe Tërpevski.