Java e 17-të e Ligës së Parë ekipin tonë e gjeti përballë Shkëndijës së Tetovës, me të cilët ndanim pozitën e parë deri në javën e fundit. Por kësaj radhe në Çair edhe pse ekipi ynë fitoi vetëm me rezultat minimal 1-0, dominoi gjatë gjithë ndeshjes, duke mos i lejuar tetovarëve që pothuajse në asnjë moment të kanosen drejt portës së Iljazit, i cili vazhdon të mbajë rrjetën të paprekur.
Ndeshja filloi me presion të lartë të ekipit tonë në fushën kundërshtare, me disa gjysme raste dhe aksione të rrjedhshme, por që përfundonin diku para gjashtëmbëdhjetë metrave të portës. Goditja e parë erdhi në minutën e 23-t, nga Pinter i cili provoi nga distanca, por topi përfundoi nën duart e portierit Taleski. Aksion të mirë zhvilluam në min e 29-t, kur Vosha krosoi për Kukan, por ky i fundit ishte në pozitë jashtë loje. Në minutën e 34-t, Trapanovski nga largësia tentoi, por Taleski dëboi topin në rivënie këndore. Por kështu nuk ishte në minutën e 37-të, kur Trapanovski arriti të depërtojë nga krahu i majtë, duke gjetur të papërgatitur Taleskin, të cilin kësaj radhe e detyroi të dorëzohet për rezultatin 1:0 . me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërsa edhe pjesën e dytë e nisëm me presion të lartë në pjesën e mysafirëve. Në minutën e 51, Trapanovski krosoi deri te Queven, i cili me kokë tentoi për të shënuar, por vetëm dërgoi topin vetëm në mes të portës ku ishte Taleski.
Përsëri në minutën e 53-t, Trapanovski krosoi deri te Queven, i cili nuk ishte në pozitë të mirë për të goditur fortë drejt portës, që mbrojta e pastroi. Në minutën e 68-t, kishte një rast të mrekullueshëm Kuka, i cili pas gabimit të mbrojtjes mysafire kërkoi të depërtojë drejt zonës së rrezikut, por goditja e tij nuk ishte mjaftueshëm e fortë. Goditja e parë e Shkëndijës erdhi në minutën e 70-t, nga Çinari, por pa rrezik për kapitenin dhe portierin tonë Iljazin. Më pas përsëri ekipi ynë me shumë kundërsulme dhe raste të mira provoi për të rritur epërsisë. Fillimisht Vosha në minutën e 73-t provoi, por Limani bllokoi goditjen e tij. Në minutën e 76-t, Trapanovski përsëri u lirua dhe asistoi për Ali Adem, i cili ishte i vetëm para golit, por nuk qe preciz. Në minutën e 87-t, Dudu në një kundërsulm bëri shumë mirë duke asistuar te Vosha, i cili u pengua nga Limani për të mos arritur të shënojë. Sheji në minutën e parë të shtesës tentoi, por në fund topi u bllokua nga portieri Taleski.
Deri në fund nuk kishte më kohë për të ndryshuar rezultatin dhe kështu me këto tri pikë të reja vazhdojmë të jemi të vetëm në kreun e renditjes, ndërsa ndeshjen e radhës dhe të fundit të sezonit, e luajmë në Strumicë kundër ekipit të AP Brera.