Skuadra e FC Shkupti deri sa po qëndron në Antali të Turqisë ku edhe po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve, kishte paralajmëruar se do të sjell dhe përforcime në radhët e saja. Së fundmi me ekipin e Shkupit është bashkuar futbollisti që luan në pozitën e krahut të djathtë, Berat Jonathan Ustabaşı.
Lojtari 24 vjeçar është me dy shtetësi, atë turke dhe angleze, ndërsa pas vete ka një karrierë të mirë në kampionatet e Turqisë.
Ustabaşı ka luajtur me ekipin e dytë të Denizlispor, Fethiyespor, Yesil Bursa, për të kaluar më pas te ekipi i Bursaspor, që më pas të luaj me ekipin Bandirmaspor të kategorisë së dytë.
Pas arritjes së marrëveshjes me Shkupin, futbollisti është shprehur i kënaqur që vjen në ekipin bardhekaltër, ndërsa për te do të jetë përvojë e parë në Maqedoni.
“Jam shumë i gëzuar që kam nënshkruar me Shkupin, është një mundësi e mirë për mua që të luaj në ligën më të mirë të Maqedonisë. Nuk kam qenë kurrë më parë në Maqedoni dhe kjo do të jetë një përvojë e mirë dhe shumë interesante.
Sigurisht se faktor kryesor për ardhjen time në Shkup është trajneri, të cilin e kam përcjell më parë dhe kam qenë një fans i madh i tij. Sigurisht se jam i emocionuar që do të mësoj shumë nga trajneri Umit Karan dhe shpresoj të bëhem edhe më i mirë”.
FC Shkupi dhe Berat Jonathan Ustabaşı. Kanë nënshkruajtur kontratë 18 muajshe, ndërsa ardhja e tij do të jetë një përforcim i madh duke shtuar dhe konkurrencën në klub.