Skuadra e FC Shkupit pa shumë vështirësi ka kaluar pengesën e parë në kuadër të 1/16-tës së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut, duke e mundur ekipin e BVK Konjare me rezultat 0:8.
Trajneri Mlladen Zhizhoviç këtë ndeshje e filloi me ekip të kombinuar, ndërsa që të gjithë futbollistët treguan angazhim maksimal duke mos i dhënë hapësirë kundërshtarit për të rrezikuar portën e Efremovit.
Që në fillim ekipi ynë kërkoi golin e epërsisë, ndërsa pas disa rasteve këtë arriti ta bëjë Ackovski në minutën e 33-të, pas një asistimi të Niltinhos, i cili në këtë ndeshje ishte në elementin e tij më të mirë.
Pas epërsisë rastet dhe golat ishin të shpeshtë, Niltinho shënon tre gola duke kompletuar hat-trickun e parë me fanellën bardhekaltër, duke shënuar në minutat ’39, ’43 dhe ’51.
Ndërsa më vonë në listën e golashënuesve dy herë u regjistrua edhe Armin Hoxhiç që shënoi në minutat e ’53 dhe ’75.
Ndërsa goli i tetë në këtë ndeshje ishte vepër e Arbi Voshës, i cili mori një asistim nga Armin Hoxhiç, ndërsa goli ishte një kryevepër.
Deri në fund të ndeshjes, të përzgjedhurit e trajneri Zhizhoviç kishin edhe disa mundësi shënimi, por ndeshja u mbyll me rezultatin 0:8.
Ekipi tani do të përgatitet për ndeshjen kampionale, ku do të jemi mysafir në qytetin e Ohrit te skuadra e Voska Sport, ndeshje kjo që luhet me 24 shtator me fillim nga ora 15:00.