Me shkrimet në disa portale, për gjoja rrahjen e futbollistëve të rinj të FC Shkupit në ndeshjen e luajtur në Prilep ndaj Pobedës, kryesia e FC Shkupi dëshiron që përmes këtij njoftimi të hedhë poshtë të gjitha shkrimet që janë plasuar pa informacione bazë nga vendi dhe se asnjë nga futbollistët e rinj nuk janë sulmuar nga askush, por thjeshtë gjatë pjesës së parë të ndeshjes, pas një dueli, dy futbollist tanë janë përleshur me futbollistë të Pobedës, që ka sjellë edhe te dënimi i tyre me karton të kuq nga gjyqtari kursor i ndeshjes. Për faktin se fëmijët nuk janë sulmuar nga persona që nuk ishin pjesëmarrës në fushë, ka folur edhe trajneri i ekipit Alisa Vishi, i cili mes tjerash ka deklaruar: “Dua të sqarohemi, se asnjë nga futbollistët që ishin në Prilep nuk janë sulmuar nga persona jashtë fushë, përkundrazi dua që publikisht të falënderoj për mikpritjen që na e kanë bërë në Prilep, që nga momenti kur kemi arritur aty dhe deri në përcjelle për kthim në Shkup. Në pjesën e parë kishte zënkë mes futbollistëve tanë dhe të Pobedës, që erdhi si pasojë e një intervenimi gjatë ndeshjes dhe plotësisht me meritë u ndëshkuan me kartonë të kuq, e që më pas edhe i qortova ata. Më vonë mbetëm me dy lojtarë më pak dhe duke mos dëshiruar që loja të ashpërsohet, vendosa që të mos lejoj fëmijët të vazhdojnë lojën në pjesën e dytë. Dua të siguroj prindërit dhe të gjithë ata që kishin dilema nëse ka pasur incident me tifoz, u siguroj se askush nuk është futur në fushë dhe askush nuk ka ngacmuar futbollistët tanë”, ka thënë trajneri Vishi.
Andaj kërkojmë nga mediumet që fillimisht të konfirmohen lajmet dhe pastaj të publikohen, për shkak se kishte shqetësime edhe te familjet e futbollistëve.