Të dielën FC Shkupi do të ketë edhe një përballje në fushë të sajë, duke pritur mysafirët nga Resnja, skuadrën e KF Mlladost CD.
Ky duel edhe pse në letër duket të jetë shumë i lehtë, të skuadra e FC Shkupi të gjithë janë të një mendimi, se në këtë sezon, nuk ka skuadra të dobëta, por që secila ndeshje duhet pritur me seriozitet dhe do të kenë qasje të njëjtë sikurse kur luajnë me skuadra nga kreu i tabelës.
Pikërisht për këtë ndeshje është prononcuar kapiteni i skuadrës Suat Zendeli, i cili në shumë ndeshje ka qenë shtyllë jo vetëm e portës, por e gjithë skuadrës.
“Të jesh në mesin e ekipeve më të mira në këtë sezon, sigurisht që nuk është lehtë, pasi kemi të bëjmë me ekipe që seriozisht kanë organizim të mirë dhe futbollistë cilësorë, që kanë ndikuar edhe në përmirësimin e kualitetit. Ne si skuadër jemi në mesin e pesë ekipeve më të mira me pretendim që të arrijmë të sigurojmë ekzistencën pa balotazh, por me mundësi që nëse na jepet rasti të sulmojmë edhe pozitën e tretë. Ne në të gjitha ndeshjet kemi treguar karakter të fortë dhe nuk kemi nënvlerësuar asnjë skuadër, andaj edhe të dielën do të luajmë me seriozitet të madh ndaj Mlladostit për të siguruar një pushim dimëror të qetë”, ka thënë kapiteni i Shkupit Zendeli.
Për ndeshjen ndaj Mlladostit, Shkupi nuk do të llogarisë në tani më të larguarin koreanin, Bae Boemgeun, pastaj mungon Mevlan Adili, i cili vuan dënimin e pesë kartonëve të verdhë, ndërsa ka munguar një ditë në stërvitje edhe Ardian Nuhiu, i cili është ankuar në lëndim në gju. Të përkujtojmë se në përballjen e parë që këto dy ekipe e luajtën në Ohër, Shkupi si mysafire triumfoi me rezultat 0:2.