Skuadra jonë në ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor ka marrë fitore, duke e mbyllur këtë edicion me plot 38 pikë në pozitën e dytë, me vetëm një pikë më pak se kryesuesit e tabelës. Për duelin e fundit ndaj AP Brera dhe ecurinë e ekipit gjatë këtij gjysmë sezoni, ka folur trajneri Mlladen Zhizhoviç, i cili ekipin tonë e mori pak para duelit me Breran që e fitoi me 16 gusht, ndërsa pikërisht edhe e mbyllëm sezonin vjeshtor duke i mundur edhe një herë, kësaj radhe në Strumicë.
“Në ndeshjen e fundit mendoj se ishim më të mirë dhe nuk i lejuam ekipit të AP Brera që të krijojë raste. Edhe pse bëhet fjalë për një ekip me futbollist të rinj, por duhet të kenë vetëbesim, përkundër faktit se në kohën e fundit nuk kanë rezultate të mira. Ishte një ndeshje e drejtë dhe korrekte, ku shfrytëzuam një sulm të mirë dhe shënuam fitore. Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi që bëhej fjalë për ndeshjen e fundit, duke ditur se ishim të harxhuar psiqikisht dhe fizikisht në të gjitha aspektet, duke e ditur se kemi luajtur edhe në kupë.
Por në përgjithësi mundë të them se jemi të kënaqur me mënyrën se si kemi luajtur gjatë gjithë kësaj faze që kur jam unë trajner, por edhe më parë, para se të vija unë. Por këtë që kanë bërë djelmoshat tanë, me kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës dhe me lojën fenomenale që kanë treguar, është për çdo lëvdatë. Mirënjohjet më të mëdha janë për ta dhe me këtë rast dua tu falënderohem, pasi unë e mora klubin që për mua ishte një moment shumë i vështirë. Djemtë kanë treguar më tepër se vetëm garë në fushë dhe dëshirë për të fituar, pasi atë që bartë me vete është një karakter dhe me këtë rast dua që publikisht tu falënderohem.
Tani na pret pauza dhe do të shohim se çka do të ndodhë, dua që gjithçka tani të qetësohet dhe të sjellim vendime të cilat do të jenë më të mirat për ekipin. Thënë në përgjithësi, me plot meritë kemi fituar kaq shumë pikë, ndoshta do të duhej të ishim në një tjetër pozitë në tabelë, por thjesht kjo që është, është, andaj kthehemi nga vetja dhe do të mundohemi që deri në fund të garojmë me Strugën dhe Shkëndijën, pasi që kohëve të fundit, këto tri ekipe janë më kualitative në futbollin e Maqedonisë”, ka thënë Zhizhoviç.
Kujtojmë se Shkupi nën udhëheqjen e trajneri Zhizhoviç, ka marrë 13 fitore, 2 barazime dhe ka pësuar vetëm një humbje. Tri nga këto fitore ishin në kuadër të Kupës. Tani ekipi do të jetë në pushim të merituar, për tu bashkuar përsëri për përgatitjet dimërore.