Kryesia e klubit së bashku me stafin teknik nuk ka kohë për pushim, këtë po e shfrytëzojnë vetëm futbollistët të cilët tani më janë duke shijuar ditët e merituara për tu relaksuar.
Klubi po bëhet gati për sezonin e ardhshëm, ndërsa për këtë do të duhen edhe disa transferime dhe freskime në disa reparte.
Transferimi i parë që kemi realizuar, është prurja e një emri tani më të njohur për publikun tonë, bëhet fjalë për mbrojtësi n e krahut të majtë Fisnik Zuka, i cili rikthehet në folenë e tij të vjetër, pas një sezoni të kaluar te Rabotniçki.
Zuka në sezonin që lamë pas kishte 18 paraqitje te ekipi nga “Parku i Qytetit”, ndërsa ai ka shprehur dhe vlerësimin e tij për rikthimin në Çair.
“Është kënaqësi që përsëri po kthehem te FC Shkupi. Të them të vërtetën e kam përcjellë ekipin dhe çdo vit Shkupi ka pasur ngritje në çdo aspekt. Sezonin që e lamë pas Shkupi doli nënkampion, ndërsa në bisedimet që kishim me kryesinë me ka pëlqye objektiva e klubit edhe për sezonin e ardhshëm. Kam dëgjuar shumë fjalë të mira për stafin e trajnerëve, me të cilët besoj se në fund do të arrijmë t’i përmbushim kërkesat e kryesisë dhe njëkohësisht t’i kënaqim tifozët tanë “Shvercerat”, ka thënë Zuka.
Shkupi dhe Zuka kanë nënshkruar kontratë një vjeçare, ndërsa edhe ai si të gjithë futbollistët e tjerë, do të vazhdojë pushimet, duke u përgatitur për grumbullimin e parë që pritet në fillim të qershorit.